Ligji, zbatimi i tij, kur bëhet, me përpikmëri e mbyll këtë hendek të madh që drejtësia krijon.
Gjykatës së Apelit, që ka në dorë kërkesën për lirimin e Sali Berishës, i duhet ta mbajë parasysh këtë. Të gjykojë nëse duhet të shohë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës apo t’i dorëzohet asaj që, si nga një pjesë e popullit, si nga qeveria dhe aksesorët e saj, po deshët edhe nga në mëhallat ndërkombëtare, shihet si drejtësi.
Drejtësia, si gjithmonë, bëhet duke prerë koka, duke marrë hak, duke i dhënë fund ‘pandëshkueshmërisë’- një term ky që vlon në kaq shumë deje- e gërmushje të tjera alogjike. Ligji në anën tjetër është i ftohtë: ai nuk kallëzon, por kqyr; nuk jep verdikte, por vendos; nuk interpreton, por lexon; nuk zhvendoset, por aktualizon.
Apeli mund të bëhet e para instancë që shkëputet nga kjo ethe politike e stinës së hakmarrjes që ka zënë sytë e Shqipërisë, të cilët i mbyll edhe qeveria për nevojat e saj, për të bërë apo vendosur drejtësi. Është një import që nuk e tregon të vërtetën, nuk e zgjidh problemin dhe, për më shumë, kushton shumë. Koncepti i drejtësisë është, pak a shumë, vlimi i amfiteatrove romakë ku gladiatorët ndesheshin dhe perandori vendoste për jetën ose vdekjen, në varësi të kënqësisë apo trishtimit që turma kishte fituar nga dyluftimi i heroit të shkretë, të vetmuar, poshtë në arenë.
Ligji, në anën tjetër, del mbi instiktin e individit dhe turmës, del madje mbi vetë logjikën dhe ndërtohet mbi përvojën.
Ashpërsimi i masës ndaj Sali Berishës për faktin se ky shpërfilli një masë të mëparshme e cila nuk mbështetej në ligj, por në një instancë të ‘drejtësisë’, është një përpjekje e dytë për të rivendosur drejtësinë, por jo aplikim i ligjit.
Gjykatat, siç thekson Holmes Jr., nuk janë për drejtësinë, por ligjin. Ligji, në rastin e Berishës, e thotë qartë. Zhveshja e ligjit dhe thirrja në arenë e drejtësisë është një ulje e gishtit të madh për të kënaqur turmën dhe vendosur drejtësinë e saj, jo akt në jurisprudencë.
Nëse reforma e gjyqësorit në Shqipëri vazhdon me sindromën e fundit të pandëshkueshmërisë, hakmarrjes, vendosjes së drejtësisë etj., do të kthejë në artefakt themelin e patjetërsueshëm të vetes: ligjin.
Drejtësia nuk ekziston dhe mjafton një fakt i thjeshtë për këtë. A keni hasur ndokënd që thotë se nuk ka të drejtë, dmth që nuk është në anën e drejtësisë? Për të zgjidhur këtë nyjë të njerëzimit, qytetërimi ka thirrur në ndihmë ligjin