Visit page
Press "Enter" to skip to content
1/ 7

Qeveria këmbëngul, ndërkombëtarët “tërheqin veshin”, dritëhijet e amnistisë fiskale

Ideja e qeverisë shqiptare për implementimin e amnistisë fiskale, është kundërshtuar nga shumë organizata dhe ekspertë ndërkombëtarë, me në krye Bashkimin Evropian. Sipas saj, projekti mund t’i hapë rrugë pastrimit të parave të kriminelëve dhe atyre me origjinë korruptive. Së fundmi, një raport i Bashkimit Evropian, konsideron se Shqipëria përfshihet në një listë me 18 vete, ku do të monitorohen për mosbashkëpunim fiskal. Vendi ynë ishte pjesë e kësaj listën në vitin 2019, e u rikthye sërish në këtë fillimvit. BE nuk jep arsyet e rikthimit në monitorim, por të shumtë janë ekspertët që mendojnë që regresi në këtë drejtim, ka ardhur pikërisht për shkak të idesë së amnistisë fiskale. Ndërkohë, planet e qeverisë aktuale për një amnisti fiskale, për të cilën qeveria e kryeministrit Edi Rama këmbëngul se janë ende në fuqi pavarësisht kundërshtive të prera të Komisionit Evropian, rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë jo vetëm në një parajsë fiskale, por edhe në parajsë të krimit të organizuar ndërkombëtar. Qeveria ka tentuar të miratojë një ligj të tillë dy herë dhe të dyja herët është tërhequr në çastin e fundit nga presionet ndërkombëtare. Në muajin shtator, disa ambasadorë të vendeve të BE, SHBA dhe Britanisë së Madhe organizuan një takim me përfaqësues të qeverisë për këtë çështje.

“Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ne do të vazhdojmë konsultimet me strukturat përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion”- tha delegacioni pas takimit konsultativ.

Projekti i qeverisë parashikon që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës.

Sipas Bashkimit Evropian, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në këtë ligj dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin. Ndërkohë anëtarë të qeverisë, thonë se janë marrë të gjitha masat, që aministia fiskale, të mos cënojë asnjë nga pikat normative të Bashkimit Evropian. Por nga ana tjetër qeveria ka tjetër qasje.

“Ky ligj është në objektivat e vitit 2023,” tha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një deklaratë për media.

Manja pranoi se projekti i hedhur për konsultim publik para disa muajsh, ishte ende në diskutim për shkak të qëndrimeve të Bashkimit Europian.

“Në dhjetor ishte një ekspert që na është vënë në dispozicion nga BE, i cili ka marrë kontaktet me të gjitha institucionet dhe do të përpilojë një raport,” shtoi ministri.

Edhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi e ka mbrojtur projektin, ndërsa shtoi se qeveria garanton se asnjë kategori e botës së krimit dhe korrupsionit nuk do të përfitonte nga amnistia.

Sipas tij, bëhet fjalë për “para që janë fituar me djersë nga shqiptarët që kanë punuar në emigracion në të gjitha format e mundshme, me djersën e ballit”.

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram