Visit page
Press "Enter" to skip to content
1/ 7

RAMA – BERISHA / SPAK dhe standarti i dyfishtë i hetimeve

Kryeprokurori i SPAK-ut, Altin Dumani, deklaroi në mes të kësaj jave se ai dhe e gjithë trupa e prokurorëve të posaçëm nuk intimidohet nga politika. Ky është një sinjal me të vërtetë pozitiv, por nuk është aspak i ri. Të njëjtin mesazh kanë dhënë thuajse të gjithë paraardhësit e tij, të cilët nuk kanë drejtuar të njëjtën strukturë si Dumani, por që kanë pasur pushtet institucional të ngjashëm.

Parë në këtë këndvështrim, deklaratat e fundit të Dumanit nuk përbëjnë as gjë të re dhe as gjë origjinale.

Ndryshe nga ish-prokurorët e Përgjithshëm, mbi të cilët ndikimi politik ishte i pranishëm, si në emërimin e kreut të Akuzës, ashtu edhe në procesin e emërimit dhe transferimit të prokurorëve, në rastin e SPAK-ut, teorikisht, presioni politik duhet të jetë afër zeros.

Ndaj, edhe pritshmëritë ndaj këtij institucioni të ri të Akuzës janë shumë të larta. E, më së pari, kërkohen standarde të larta hetimi.

Të dhënat e deritanishme, sidomos për dosjet e profilit të lartë politik, dëshmojnë se standardet e ndryshme që po ndjek Prokuroria e Posaçme janë një pikë shumë e dobët, e cila vë në dyshim të gjithë veprimtarinë e institucionit.

Në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai kanë kanë ngritur dyshimet për kryerjen e veprave penale ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke analizuar dy Vendimeve të Këshillit të Ministrave, të miratuara nga qeverisja e Partisë Demokratike, në vitet 2007-2008.

Duke shqyrtuar ato vendime kolegjiale qeveritare dhe me natyrë të përgjithshme, prokurorët e posaçëm kanë krijuar dyshimin e arsyeshëm se Berisha ka favorizuar interesat financiare të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, megjithëse me ato VKM që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave përllogariten rreth 100 mijë përfitues.

Nga ana tjetër, i njëjti prokuror, Kraja, kësaj radhe i shoqëruar nga kolegu i tij, Dritan Prençi, nuk kanë marrë në analizë dhe, rrjedhimisht, as nuk kanë ngritur dyshimet, mbi kryeministrin Edi Rama dhe të tjerë zyrtarë të lartë, të cilët kanë miratuar “me urgjencë” vendimin e Këshillit të Ministrave për miratimin e bonusit prej 8 përqindësh për një kompani “inekzistente”, “Integrated Energy bv”, e cila fitoi kontratën me kosto koncesionare 128 milionë euro për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës.

Vendimi i Ramës dhe i qeverisë së tij ishte “nominative”, pra për një emër të përveçëm, i cili fitoi kontratën e paligjshme, siç është zbuluar nga vetë SPAK-u.

Në hetimin e inceneratorit të Tiranës, prokurorët e SPAK-ut jo vetëm që nuk kanë shqyrtuar vendimmarrjen qeveritare, por, as nuk kanë guxuar që të përmendin emrin e kryeministrit Rama.

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram