Pjesë thelbësore e fushatës së Ramës në këto zgjedhje lokale është bërë dhe apandesiti i tij si dhe operacioni me mjekët të cilët i ftoi dhe në podcast. Duket se post-operacioni e ka kapur me frymë tjeteër kreun e qeverisë, duke kërcyer e duke u hedhur.
Efektet anësore të operacionit duket se i bënë të harrojë edhe premtimin që 2 javet e para të fushatës nuk do kishte fjalime por mbjellje pemësh. Jo vetëm flet, por edhe kërcen me ritmet e tallavasë, në përpjekje për tu dukur politikan i ri dhe i pakonsumuar në kontrast me kundërshtarët e tij.
Siç të gjithë e dimë, në mënyrë të hapur, Rama ka përdorur joshjen dhe kërcënimin ndaj votuesve, mesa duket i sigurtë për imunitetin që ka ndaj drejtësisë. Në Kamëz deklaroi: Nëse fiton Rakip Suli do katerfishohen investimet e Qeverisë, nëse ia jepni atij tjetrit në qafë paçi veten.
“Kush do fusi gomarin me dy veshë të gjata në bashki, ta harrojë qeverinë. Ne nuk mundet kurrë që të na vënë para këta medemek në emër të votës, të na detyrojnë të bashkëpunojmë me individë të shpallur non grata, jo nga unë por nga SHBA-të”, tha Rama.
Në qytetin e Elbasanit shkoi deri aty sa deklaroi se nuk do të ketë asnjë fond nga qeveria për Elbasanin nëse fiton Luçiano Boçi.
Duket sikur thotë se me ata që ai i quan “kandidatët e zorrës qorre” që largqoftë dikush, diku, i çon në zyrën e bashkisë nuk ka bashkëpunim.
“Nuk ka. Nuk ka se si të ketë. Nuk ka sesi të ketë sepse arsyeja pse ata janë vendosur këtu, atje, atje,” tha Rama. Për të shmangur këtë gjuhë të turpshme nga ndonjë Kryeministër i papërgjegjshëm që, për më shumë pushtet personal mund të bëjë gjithçka, Kodi Zgjedhor është treguar i kursyer, por jo indiferent. Në pikën 7 te nenit 78, ku flitet për të drejtat dhe detyrimet e subjekteve zgjedhore gjatë fushatës, kodi e përcakton këtë që po bën Kryetari i PS, shkelje që ndiqet penalisht.
“7. Subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike,” thuhet në Kodin Zgjedhor. Kjo është pika 7, që ndalon dhe ngarkon me përgjegjësi penale atë që premton favorizime për zgjedhësin për të votuar në një mënyrë të caktuar. Kaq mjafton që Komisioneri Zgjedhor i pari t’i kërkojë Kryetarit të PS që të ndalojë joshjen dhe aq më tepër kërcënimet, por edhe organeve të drejtësisë që ta ndjekin këtë shkelje të hapur, që kodi zgjedhor e dënon penalisht.
Rama është duke shkelur rëndë Kodin Zgjedhor dhe duke goditur rëndë barazinë e kandidatëve në garë. Kryeministri është duke kërcënuar qindra mijë shqiptarë, votues të opozitës, se nuk do të shohin asnjë cent investim, se taksat e tyre do shkojnë vetëm atje ku fiton Rilindja nëse nuk votohen të vetët.