Visit page
Press "Enter" to skip to content
1/ 7

Rritja qesharake e pensioneve, çfarë mund të blejë një i moshuar sot

Qeveria e Edi Ramës erdhi me premtime të mëdha në vitin 2013 kur mori pushtetin që aq shumë e kërkonte pas largimit të Sali Berishës. Premtimet e Ramës, si shëndetësia falas, 300 mijë vende të reja pune, apo rritje e pagës minimale dhe e pensioneve ishin joshëse dhe kjo bëri që shumë njerëz të votonin për të duke i dhënë fitoren, të cilën e mban edhe sot.

Por nëse kapemi të paktën me një nga pikat në të cilat mbështetej programi i tij fitues 10 vite më parë, është ajo e pensioneve. Rritja e pensioneve ka qenë pothuajse e papërfillshme dhe më së miri për këtë flasin statistikat dhe shifrat. Në vitin 2014, një pensionist urban në Shqipëri merrte mesatarisht 14,518 lekë në muaj. Në vitin 2021, ose shtatë vjet më vonë, pensioni mesatar ishte 17,258 lekë, me një rritje mesatare vjetore prej 2.5%. Gjatë këtyre viteve, Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me mesatarisht 1.7%, gjë që sugjeron një rritje të papërfillshme reale të pensioneve me 0.8%.

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i pensionistëve urbanë ishte 436 mijë vetë në vitin 2014 dhe u rritën në 566 mijë më 2021. Një rritje prej 30%, ose 130 mijë vetë, në numrin e pensionistëve solli një rritje në një masë të ngjashme në fondin e përgjithshëm të nevojshëm për pagesën e këtyre pensioneve, pavarësisht se pensionet janë rritur shumë pak, shkruan BIRN.

Në mënyrë që pensionet të rriten, atëherë është e nevojshme ose që pagat të rriten me shpejtësi të pazakontë, gjë që nuk ndodh dot për sa kohë ekonomia nuk rritet me shpejtësi të pazakontë, ose numri i të punësuarve të rritet shumë më shpejt se sa numri i pensionistëve. Për fat të keq, demografia sugjeron se kjo e dyta ka edhe më pak gjasa të ndodhë për shkak se numri i fëmijëve është më i vogël.

Për sa kohë ekonomia nuk rritet, dhe shkaqet e mosrritjes vështirë se gjenden gjëkundi tjetër përveç cilësisë së qeverisjes, vendi nuk do të ketë mundësi të rrisë as paga dhe as pensione.

Bonusi 5000 lekë nga qeveria në një vend ku çmimet po rriten dita ditës zhduket papritur sa hap e mbyll sytë.

A i del një pensionisti të paguajë gjërat bazike, energjinë elektrike, ujin, ushqimin për një muaj, përfshi këtu fruta, perime. Po transportin, telefonin, për të mos harruar ilaçet aq shumë të rëndësishme për ta. Po, ata si njerëz të kësaj Toke, a nuk e kanë të drejtën të dalin një shëtitje në fushë, det apo mal të paktën një herë në javë? A munden ata ta shijojnë me dinjitet moshën e pensionit? Po të dalin të paktën një herë jashtë vendit me avion, a është luks i paarritshëm për ta?

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Gazeta Telegram, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Gazeta Telegram”

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram