Mjafton një screenshot i vogël i një bisede në Whatsapp në grupin e punonjësve të policisë për të vizualizuar një panoramë të gjerë të shoqërisë ku jetojmë. Një institucion si Policia e Shtetit, që supozohet të vendosë rend dhe rregull në qytet, të sigurojë brenda mundësive mirëqenien e çdo vendasi si fizike ashtu e psikologjike, duket se as një test të vogël denjësie e morali nuk e kalon.
Dhuna brenda në familje, bullizmi e deri tek trafikimi i qenieve njerëzore janë pasojat që vijnë zinxhir në një rreth vicioz të një shoqërie që nuk bën përpara.
“Çfarë vit prodhimi është shef”, “Shihe nga parakolpi”, “Si urdhëron shef, fshati që duket nuk do kallauz”. Janë këto mesazhet e shkëmbyera mes punonjëve të policisë për një vajzë të humbur e për të cilën familjen e saj nuk e zë vendi e gjumi natë e ditë pa parë fëmijën e tyre shëndoshë e mirë në shtëpi.
Mesazhe të tilla tregojnë se sa seriozisht i marrin punonjësit e policisë denoncimet e bëra nga qytetarët. Çdo familjar për më të voglin problem do i drejtohej dyerve të policisë për ta zgjidhur, dhe policía ka për detyrë që sado i vogël të jetë problemi ndryshe nga hiperbolizimi i familjarëve të shqetësuar, të bëjnë përpjeket më madhore për t’i dhënë zgjidhje atij. Policë që paguhen nga taksat e kujtdo qytetari që ka probleme.
Shtimi i numrit të policeve gra në strukturat e policisë së Shtetit, u pa si një zgjidhje për shtimin e ndjeshmërisë ndaj problemeve si dhuna ndaj grave, dhuna në familje, përdhunimet etj. Por çfarë të presim nga punonjëse policie që tallen me viktimat? Një polici që nuk arrin të trajtojë me seriozitetin e duhur rastin e zhdukjes së një minoreneje është një polici e paaftë për të na mbrojtur nga trafikantët e qenieve njerëzore.
Rasti i zhdukjes së një të miture duket se nuk përbën asnjë problem për punonjësen e quajtur Ina, e cila sapo shefi i saj sjell foton e vajzës së zhdukur në grupin e Ëhatsapp, është e para ajo që bën komente seksiste të tipit “Çfarë vitit prodhimi është”. Një komunikim joetik deri në nivelin tallës për viktimën vetë, për familjarët e saj dhe për kostumin dinjitoz që një punonjës policie duhet të mbajë.
Me sa duket ato vite trajnimesh për problemet gjinore në Policinë e Shtetit nuk kanë pasur efekt tek punonjësit. Burrat e frustruar edhe seksualisht që mbajnë veshur uniformën e policisë së shtetit, nuk i përmbajtën komentet e ndyra, duke përmendur “parakolpin” e së miturës, “vitprodhimin” apo ironi të tjera.
Dhe kjo vjen pikërisht nga një efektive policie që ka marrë “Medalje Nderi” e që supozohet të jetë shembull për çdo të ri e të re që futet në radhët e policisë.
Vite më parë, Ina Nuka, u propagandua si heroína e Ramës, pasi në protestën e opozitës humbi gishtat nga një kapsoll i hedhur në drejtim të policisë.
Një mori intervistash e daljesh televizive që u kurorëzuan me Medalje Nderi duket se nuk e kanë edukuar aspak Inën dhe t’i rrisin empatinë për qindra e qindra vajza që mund t’u rrezikohet edhe jeta nga trafikantët e qenieve njerëzore.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Gazeta Telegram, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Gazeta Telegram”