Në vendin tonë që nga fillimi i muajit nëntor kanë qarkulluar disa lloje virusesh, si AH1N1, AH3, Virusi B, Virusi RSV dhe COVID-19, me shtrirje gjeografike në gjithë territorin e Shqipërisë. Më të prekurit dhe riskuar nga këto viruse sezonale, janë fëmijët dhe personat mbi 65 vjeç. Mirëpo kurba e gripit është në rënie. Të dhënat e fundit të siguruara nga Instituti i Shëndetit Publik, flasin për një rënie të shifrave të të prekurve.
Nga 17.000 të infektuar brenda një jave që regjistrohej në fillim të janarit, këtë mes shkurti shifrat janë 15.000-14.500. Edhe në Urgjencën Kombëtare janë regjistruar më pak thirrje për ndihmë. Në Urgjencën e Spitalit Shefqet Ndroqi, paraqiten në 24 orë 35-40 pacientë, ndërsa shtrimet janë më të pakta. Në Urgjencën Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, paraqiten rreth 300 fëmijë në 24 orë, por ky numër është në rritje gjatë fundjavave. Për situatën e gripit në vend, flet specialisti pranë ISHP, Artan Simaku. Për Simakun, vendi kaloi në një sezon gripi me intensitet mesatar dhe ishim larg kalimit në epidemi.
“Në vend qarkulluan një sërë virozash, me gripin që ka mbizotëruar COVID-19, koronavirusi ka qenë me shifra mjaft të pakta. Intensiteti i qarkullimit ka qenë mesatar, e menaxhueshme, larg epidemisë gripale. Para një jave kishim 17 mijë persona të regjistruar në një javë, ndërsa trendi tashmë është në rënie. Më të rriskuarit siç e kemi thënë janë fëmijët dhe personat mbi 65 vjeç. Për moshat e treta, veç vaksinës anti-COVID, rekomandohet edhe aplikimi i vaksinës së gripit. Mjekët sugjerojnë që të mos përdoren antibiotikë pa këshilla dhe të ushqehen me supëra dhe vitamina. Ndër masat për të parandaluar, janë ato si të COVID-it. Distancimi social dhe mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura”, u shpreh Simaku.
Mjeku shpjegoi arsyet se përse këtë vit, gripi ka qenë më agresiv në vendin tonë, por jo vetëm, pasi situatë e ngjashme është paraqitur në shumë vende në Evropë.
“E njëjta shtrirje ka qenë në shumë vende evropiane. Kjo ka ndodhur se për dy vite nuk kemi pasur grip, për shkak të dominimit të COVID-19. Tashmë që virulenca e COVID-19 ka rënë, kemi pasur një bashkëshoqërim të saj me gripin. Rastet kanë qenë mjaft të menaxhueshme dhe spitalet e vendit e kanë përballuar më së miri fluksin e krijuar”, theksoi mjeku.
Ndërsa mjeku pediatër, Bektash Madri, tregon shenjat që paraqitën fëmijët. Sipas tij, temperatura e lartë, ethet dhe të vjellat, kanë qenë simptomat më evidente.
“Në Qendrat e Konsultave në kryeqytet një mjek trajtonte të paktën 30 fëmijë në një turn 8 orësh. Fëmijët vijnë me temperaturë të lartë, kollë, ethe. Ne i japim të gjithë trajtimin e duhur në qendrat spitalore dhe nëse rasti është më i rëndë, sugjerojmë prindërit të dërgojnë fëmijët në urgjencë. Nëse fëmijët kanë një temperaturë 38, atëherë mund të kurohen në shtëpi, po nëse temperatura është më e lartë, prindërit të dërgojnë fëmijët në qendrën spitalore më të afërt”, pohoi Madri.
Pediatri udhëzon prindërit që në rast se fëmija paraqit temperaturë, të mos i dërgojnë në çerdhe, kopshte dhe shkolla, në mënyrë që të ndërpritet zinxhiri i infektimit.
“Nëse fëmija ka temperaturë, prindërit të mos i dërgojnë në çerdhe, kopshte apo shkolla. Kështu ndërpresim zinxhirin e infektimin. Për prindërit ndërkohë, ne jemi të gatshëm të japim të gjithë raportet e nevojshme, në mënyrë që kjo situatë të menaxhohet sa më mirë dhe mos të rrezikohet asnjë”, përmbylli mjeku Madri.