Visit page
Press "Enter" to skip to content
1/ 7

Tratativat për bashkimin e Partisë Demokratike/ Si janë ndarë palët?

Rama ndërroi një pjesë të qeverisë së tij, por , në radhët e opozitës po gëlon shqetësimi tjetër: në sa grupe do të ndahen në seancën e parë parlamentare, 52 deputetët e dalë nga listat e PD-së në prill të 2021-ishit?

Pandehma është që opozita të shihet e përçarë së paku në tre apo katër seksione. I pari dhe më i madhi, me 21 deputete, është ai i rithemelimit, PD ja e vërtetë, e tubuar rreth Berishës. Ndonëse kanë humbur Belind Këlliçin dhe Luçiano Boçin ata pritet të jenë në kuvend si zëri më i fortë opozitar.

Një rol jo të vogël pritet të ketë edhe Gazmend Bardhi, që përpos faktit se njihet ende nga shumica si shef zyrtar grupi është edhe individualisht një zë i fortë opozitar, madje duke bërë edhe denoncime që Berisha heziton ti bëjë. Përpos këtyre dy vetive që pas konfliktit me Bashën që rrëmbeu jashtë çdo norme pronësinë e vulës, Bardhi ka rreth vetes edhe së paku një dyzinë deputetësh. Kur iu desh të bënte një provë force kundër Lulit, ai mblodhi së bashku, Xhelal Mziun, Dashnor Sulën, Bledion Nallbati, Andia Ulliri, Qani Xhafa, Dhurata Cupin, Ramadan Likën, Saimirr Korreshin, Helidon Bushatin, Zheni Gjergjin dhe Lefter Gështenjën. I gjithë ky grupim është i vendosur për të mos ta njohur Bashën si lider, madje qesh me këtë fakt, por nga ana tjetër e ka të vështirë të vihet nën urdhërat e një non grateje të pa dëshëruar nga SHBA, si Berisha. Nga ana e tij Lulzim Basha, të cilit Edi Rama i ka garantuar vulën, financimin dhe përfaqësimin e PD-së, ka rënë nga një mbështetje prej 52 deputetësh, në 40 pasi përjashtoi Berishën, në gjysmat pasi dha dorëheqjen në mars 2022 dhe në 8 deputetë tani që vendosi të sillet sërish si kryetar.

Ai ka pas vetes vetëm Enkeleid Alibeajn, Kreshnik Collakun, Oriola Pampuri, Flutura Ackën, Arbi Agalliu dhe Merita Bakiun. Përpos këtyre janë edhe një grup të pa angazhuarish që kanë vendosur tani për tani të luajnë solo. Më i zëshmi prej tyre, Agron Gjekmarkaj, larg të tërëve, ka vendosur ta shuajë hidhërimin në fejtone hermetiko-satirike. Jorida Tabaku, më pranë Bardhit, që kur shpalli se Basha i takon të shkuarës, po e gjen ngushëllimin tek diplomatët e huaj duke ndjekur nga afër në mënyrë absurde rrugën gjithnjë e më të largët të integrimit. Ferdinad Xhaferi duket se nuk gjen paqe me asnjërën prej rrymave duke qenë poa aq anti bashist sa anti saliist, ndonëse e pranon që berisha ka shumicën e partisë. Ervin Salianji, është më pranë foltores, si një njeri që e njeh lojën politike dhe vulnetin e antarësisë, bëri fushatë përkrah saj në zgjedhjet e 14 majit, por do aderonte plotësisht vetëm nëse do merrte një pozicion më dominant. Ky grupim i katërt, që në fakt është një grumbullim individësh, hyjnë dhe dalin edhe dy tre deputetë të tjerë. Por të gjithë këta sëbashku bëjnë që opozita të jetë sot më e përçarë se kurrë.

E vetmja tentativë, pa shumë shpresa për bashkim real, është ajo që po bëhet mes grupimeve të 21 deputetëve të Berishës dhe atij atyre 12 -14 të Gazment Bardhit. Sot në një takim me parlamentarët që e mbështesin, Berisha e tha copë se kanë filluar tratativat mes dy grupeve. 

“Grupi me unanimitet të plotë pas diskutimeve të secilit, ishte i mendimit që të vazhdojnë negociata me grupin, deputetët e tjerë të Gazment Bardhin, me qëllimin më të mirë, arritjen e një bashkimi, pasi konstatohet se ky vullnet ekziston nga të gjitha palët. Unë e quaj këtë vendim një vendim të drejtë në përputhej me interes atë PD, anëtarëve dhe simpatizantëve të saj”, tha lideri i demokratëve.

Pro hapjes së këtij procesi tratativash u prononcua menjëherë edhe deputeti Saimir Koreshi që njihet se qëndron në krah të Bardhit. “Unë kam qenë gjithë kohës me deputetët demokratë, mendoj se ne të gjithë kemi dalë nga lista e PD. Ne që kemi dalë në mes, e që nuk njohim pronarët e PD, duam të japim një alternativë, duke kërkuar bashkimin në një grup të vetëm parlamentar. E mbështes negociatën, për këtë kemi qenë dhe për këtë kemi ngritur zërin. Nuk ka grup Rithemelimi më por ka deputetë të PD. Ne do bëjmë një grup të përbashkët për të shtuar forcat tona kundrejt Edi Ramës”, tha Korreshi.

Por, ndonëse Berisha i deklaroi shtypit që e pyeti për mundësinë e suksesit të këtyre negociatave se, “kur ekziston vullneti gjërat realizohen”, tymi i bardhë për një grup unik parlamentar, me së paku mbi 30 deputetë, duket i largët.

Nga njëra anë deputetët e divorcuar së fundi me Bashën nuk e pranojnë dominimin e Berishës si lider, ndonëse ai është figura më e votuar në PD. Në anën tjetrë Berisha nuk njeh tjetër rrugë kompromis përpos asaj që vendos vullneti i shumicës së antarësisë. Ai i do ish desidentët në shërbim të tij dhe jo si zëra indipendentë. Prandaj ndonëse palët flasin për negociata bashkimi, me përjashtim të Bashës që ka ikur në drejtim të paditur, realiteti i një grupi të unifikuar është ende larg. PD do rikthehet në kuvend e ndarë së paku në katër pjesë.

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram