Më 15 mars, ish-presidenti për pesë vjet dhe ish-kryeministri për tetë vjet, Sali Berisha, udhëtoi drejt Mirditës, një bashki që nominalisht ka katër qyteza minerare, 28 mijë zgjedhës në lista dhe 81 fshatra, shumica e të cilave duket se nuk janë lidhur ende me rrugë të asfaltuara me pjesën tjetër të vendit.
Media e opozitës njoftoi se kandidati i opozitës është Albert Mëlyshi, ndërsa raportoi gjerë e gjatë se çfarë tha Berisha. Vetë kandidati nuk foli, së paku jo në këtë lajm. Ndërsa në media të tjera, emri i kandidatit humbi nëpër të pa u përmendur fare
Shqipëria ka 45 subjekte të licencuara për transmetime televizive dhe shumë e shumë media, të cilat kanë transmetim 24-orësh vetëm me lajme. Ta ha mendja se ndonjë prej këtyre televizioneve do të kishte shfrytëzuar rastin të mbushte ndonjë cep të programacionit që është jashtëzakonisht rraskapitës për t’u mbushur, edhe me një ngjarje të tillë si prezantimi i kandidatit të opozitës në bashkinë Mirditë. Në fakt, për aq sa mund të gjendet duke kërkuar online, asnjë nga televizionet kryesore nuk rezulton të ketë bërë ndonjë kronikë, apo të ketë intervistuar kandidatin.
KQZ vendosi ta lërë opozitën pa numërues në gjysmën e vendit. Nuk ishte vendim i papritur, ishte vulosja e një projekti të menduar mirë nga Edi Rama dhe të mbështetur, me naivitet nga ndërkombëtarët dhe pa asnjë vrarje ndërgjegjeje nga bashkëpunëtorët e Ramës në opozitë
Nga 3 marsi dhe deri sot, në 25 prill, një seri vendimesh ia kanë hequr mundësitë opozitës reale të vendit, të konkurrojë sadopak e barabartë me një mekanizëm të përbindshëm të Rilindjes. Në 3 mars Gjykata e Apelit vendosi të anulojë vendimin e shkallës së parë për PD dhe t’ja kthente kështu vulën grupimit Alibeaj, që prej më shumë se një viti, nuk kishte asnjë aktivitet partiak. Pas kësaj, megjithëse Komisioneri Zgjedhor nuk pranoi të regjistronte PD me Alibeajn si Kryetar, Këshilli i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), vendosi të funksionojë si Këshilli Kombëtar i PD-së dhe të shpallë Alibeajn kryetar në detyrë.
Berisha u detyrua të strehohej në një koalicion opozitar që të mund të hynte në zgjedhje, me besimin se, sado që pushteti totalitar po nxjerr thonjtë, lufta brenda sistemit të kontrolluar prej pushtetit mund të japë rezultat. Pushteti e gjeti dhe aty, ia hoqi siglën e partisë nga Koalicioni, pastaj, me kërkesën e një grupimi që nuk kishte asnjë lidhje me koalicionin, vendosi që, në kundërshtim me vullnetin e partive dhe me Kodin Zgjedhor, të emëronte Ilir Metën kryetar të koalicionit dhe jo Sali Berishën.
Politikani që ka 61 kandidatë për kryetar bashkie dhe qindra kandidatë për Këshillat Bashkiakë, forca më e madhe politike që garon, nuk figuron askund në fletën e votimit. Edhe kaq ishte shumë. Ajo që ndodhi sot i hoqi edhe mundësinë për të numëruar gjysmën e votave në total, i hoqi iluzionin çdo njeriu sado naiv që do të ketë zgjedhje në 14 maj.
Sot u vendos të mos ketë zgjedhje, u shpallën fituesit, u mbyll procesi para kohe. Më shpejt se kaq nuk i kishte mbyllur as Berisha i 1996, që u vuri drynin kutive diku rreth drekës. Hera e parë në historinë e pluralizmit që zgjedhjet mbyllen 20 ditë përpara.
As opozita e llumit apo e kërpëratave nuk e kishte bërë këtë shërbim për Edi Ramën. Enkelejd Alibeaj dhe ata që e mbështesin, do të mbaheshin mend si kolaboriacionistët e regjimit nëse do të ishin vetëm. Ata vërtet po shërbejnë për ta çuar në asgjësim opozitën, ata vërtet po shkëmbejnë pluralizmin e vendit me kockat që u hedh Taulant Balla, por nuk mund të mos quhet përgjegjës Komisioneri Zgjedhor, as KAS, as Kolegji Zgjedhor.
Ilirjan Celibashi, si personi përgjegjës për zgjedhjet, që pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, mund të kishte provuar një zgjidhje, që opozita të përfaqësohej. Ligji ia jep këtë mundësi, që ai e shpërdoroi në shërbim të regjimit.
Katër nga 4 anëtarët e KAS, duke zbatuar verbërisht urdhërat politikë për të shfarosur opozitën, janë sot bashkëpunëtorët e regjimit, të damkosur si KASapë së zgjedhjeve.