Kavaja ka qenë gjithmonë një bastion i Partisë Demokratike, me ish-kryeministrin Berisha që ka kandiduar disa herë si deputet i këtij qyteti, që i sillte mijëra vota demokratëve. Në vitin 2007, kandidati demokrat Refik Rrugeja fitoi zgjedhjet me një rezultat të pabesueshëm prej 84% të votave. Por katër vite më vonë, Elvis Rroshi, bën kthesën e madhe duke i surprizuar të gjithë dhe duke mposhtur Rrugenë me 54% të votave.
Roshi, i cili më vonë u bë sinonim i politikës së kriminalizimit të politikës në Shqipëri, fitoi me lehtësi një mandat të dytë më 2015, kur, në bashkinë e Kavajës, tashmë të shtuar me ish-komunat Synej, Luz i Vogël Golem dhe Helmas, mposhti kandidatin demokrat me 62% të votave. Ky mandate i dytë nuk do të zgjaste shumë, pasi Rroshi u shkarkua dhe në 2017, Kavajën e fituan sërish demokratët me një rezultat fare të ngushtë.
Socialistët e rimorën bashkinë Kavajë në zgjedhjet pa garë të vitit 2019, por numri i votave që ata arritën të mobilizonin në ato zgjedhje nuk ishte shumë i lartë, vetëm 7500. Ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, në territorin e Bashkisë Kavajë socialistët dhe aleatët e tyre aktualë socialdemokratë, morën rreth 10,700 vota, rreth 500 më pak se sa kundërshtarët e tyre, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të marra së bashku. Numri i votuesve në Bashkinë e Kavajës ka njohur sistematikisht rritje, duke reflektuar rritjen e popullsisë në regjistrin civil.
Në vitin 2007, në territorin e bashkisë aktuale kishte 50 mijë votues në lista ndërsa më 2011, numri i votuesve arriti në mbi 66 mijë. Përkundrejt kësaj, numri i votuesve ka rënë, nga 27 mijë më 2011, në 23 mijë më 2021.
Banorët e Kavajës do të zgjedhin mes kryebashkiakut aktual Redjan Krali, i Partisë Socialiste dhe kandidatit të koalicionit opozitar Bashkë Fitojmë Fisnik Qosja. Në garë për 31 ndenjëset e këshillit bashkiak njëmbëdhjetë parti, në listat e mbyllura të së cilave gjenden 352 emra kandidatësh. Gara pritet të jetë e hapur për të dy kandidatët, me demokratët pak më të favorizuar për shkak të historikut të Kavajës dhe lidhjes që ato kanë me të djathtët.
Në mes të qershorit të këtij viti, Radio Televizioni Shqiptar zgjodhi Drejtorin e ri të Përgjithshëm në një votim unanim me 3 kandidatë. Teksa njëri…