Visit page
Press "Enter" to skip to content
1/ 7

Zhdukja e Ervis Martinajt redukton atentatet/ Dhjetëra të vrarë në pak muaj para lajmit të bujshëm, ja kur është shënuar ekzekutimi i fundit


Ishte mesdita e 17 korrikut, ku njëherazi, të gjitha flash-et e televizioneve informative, nxorën me lajm të fundit të shtëna me armë zjarri në Fushë-Krujë, ku dyshohej, se kishin ndërruar jetë 3 persona. Nuk kaloi shumë dhe gjithçka u konfirmua, të vdekur u shpallën, Brilant Martinaj, i dyshuar si i përfshirë në disa vrasje dhe dy miqtë e tij, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.

Atentatorët, kishin menduar në mënyrë perfekte çdo detaj dhe vendi ku u krye ekzekutimi, mbikalimi i Fushë-Krujës, nuk i lejonte mundësi viktimave të manovronin për të shpëtuar. Gjithashtu, nuk kishte kamera sigurie, çka bënte më të lehtë fshehjen e gjurmëve. Vrasja, duket se kishte një prapaskenë, që lidhej pikërisht me Ervis Martinajn. Biznesmeni i lojërave të fatit, akuzohej si porositës i disa vrasjeve, ndërsa dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumanit, duket se hapi sërish hesape të palara mes grupeve rivale.

Një muaj më vonë, më 9 gusht, bëhet e ditur zhdukja pa gjurmë e Ervis Martinajt, fati i të cilit ende mbetet mister. Ka versione të ndryshme mbi fatin e tij. Gazetarët e kronikës duken të dyzuar. Disa janë të mendimit se ai është eliminuar dhe për këtë ekziston një video, ndërsa të tjerë gazetarë, e cilësojnë zhdukjen një inskenim për të humbur gjurmët dhe ruajtur veten nga rivalët e shumtë. I vetmi person, që mund të ketë dijeni mbi ngjarjen është ish-efektivi i Policisë, Jeton Lami. Lami është fiksuar nga kamerat e sigurisë, nën shoqërinë e Martinajt. Ai fillimisht refuzoi të fliste, ndërsa të dhënat e nxjerra prej tij përpara disa ditësh, nuk zbardhin të dhëna domethënëse për ngjarjen. Dy javë më pas, do të bëhej një vrasje e përmasave të mëdha. Shpati Lenës dhe Hakim Xhezos, ranë pre e breshërive të plumbave në autostradën Fier-Vlorë. Ngjarja dyshohet se kishte lidhje me një ngjarje kriminale, të ndodhur në 4 gusht të vitit 2019. Pikërisht vrasja e biznesmenit Arben Beqiraj, plagosja e djalit të tij Erigert Beqirajt dhe nipit të tij Nesim Hodajt, nga Eduart Xhezo, pas një sherri për kalin në pronësi të autorit, dyshohet se mund të jetë shkaku i atentati ku u ekzekutua Shpati Lena dhe Hakim Xhezo. Shpati Lena ishte miku i ngushtë, ndërsa Hakim Xhezo është i vëllai i pronarit të kalit, Eduart Xhezos. I vëllai nuk rezulton i përfshirë në ngjarjen e 4 gushtit, por mund të jetë vrarë për hakmarrje ndaj Eduartit, i cili po vuan dënimin me burg. Shpati Lena u arrestua në mars të këtij viti, për ‘përkrahje të autorit’, ndërsa u la nga gjykata me masën ‘detyrim paraqitje’.

Ndërkaq, për disa muaj vendi u duk se ra në qetësi. Në komunikatat e policisë, vinin njoftime për vrasje në familje (Burri vret bashkëshorten, babai vret të birin, vëllai plagos të vëllanë), por nuk kishte vrasje me prapavijë mafioze. Për një të tillë, duhet të prisnim 16 dhjetorin e vitit të kaluar. Në një lokal të Tiranës, u vra Edmond Papa. Ai sapo ishte ulur në lokal kur u qëllua me 9 plumba nga një person i maskuar. Edhe pse 49 vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Biznesmeni me origjinë nga Rroskoveci, jetonte mes Sarandës dhe Anglisë. Ai kishte ardhur në Tiranë më 16 Dhjetor tek vëllai i tij, që banonte pak metra larg lokalit ku u qëllua për vdekje. Dëshmitarët okularë i treguan policisë se ai iu kundërpërgjigj autorit, duke e qëlluar me tavllën e duhanit në tavolinë.

Hetimet ishin fokusuar në dy pista. Ajo e konflikteve të mundshme për shkak se 49 vjeçari zotëronte disa prona në Ksamil, si dhe hotelin Blu Sky në Sarandë. Pista e dytë janë konfliktet për drogën. Biznesmeni Edmond Papa ka qenë dënuar më parë në Greqi për trafik të lëndëve narkotike.
Po ashtu dyshohet se vrasja e tij ka lidhje me ekzekutimin e dy shqiptarëve, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja pak ditë më parë në Greqi. Të tre ekzekutimet dyshohet të kenë ndodhur për zhdukjen e 700 kilogramëve kanabis. Urdhri dyshohet se ka dalë nga burgu grek, nga një tjetër shqiptar. Ndërsa për ngjarjen është arrestuar si i implikuar 30-vjeçari Albano Velo. Nga 16 dhjetori, deri këtë fund shkurt të vitit 2023, nuk kemi shënuar më vrasje mafioze. Këto shifra të vrarësh, jannë statistikisht më të ulëta se rreth 1 vit më parë. Numrin më të lartë të kriminalitetit, gjatë vitit 2022 e mban Shkodra. Në këtë qark kanë ndodhur 6 vrasje. Pasohet nga Fieri me 5 ngjarje dhe 4 në Tiranë, e më pak vrasje në qarqet e tjera të vendit

Më 4 Janar u vra Erion Çela teksa ishte së bashku me të afërmit e tij në një lokal në zonën e Don Boskos. Ndaj tij u qëllua me breshëri plumbash nga një makinë në lëvizje, ku 4 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Nuk do të kalonte shumë kur 3 muaj më pas Iljaz Çali u vra në autostradën Tiranë-Durrës, teksa lëvizte me mjetin e tij.

Në Shkodër, Nazmi Bandulla u qëllua për vdekje nga persona ende të paidentifikuar që lëviznin me një makinë tip Benz.

Në Qershor dhe Korrik, ngjarjet kriminale kulmuan me vendosjen e tritolit ne automjetin e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj në Tiranë, ekzekutimin në Fushë-Krujë të Brilant Martinajt, Diklen Vatës e Besmir Hoxhës, si dhe vrasjen e Klisman Preçit në Milot.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Gazeta Telegram, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Gazeta Telegram”.

error: Përmbajtja është e mbrojtur © Gazeta Telegram